Firmoset marrëveshja për 136 milionë euro grante të BE-së për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Nënshkrimi në Tiranë, u bë nga ministri i Financave Mete, Ambasadori i BE-së Gonzato dhe shefja e BERZH-it në Shqipëri, Solovova. Ky grant i BE-së përmbyll strukturën financiare të projektit dhe shënon fillimin e zbatimit të tij.

 Ervin Mete, ministër i Financave: Granti që nënshkruajmë sot prej 136 milion euro është granti më i madh i akorduar ndonjëherë nga BE për një projekt investimi në Shqipëri, duke shtuar dhe grantin për linjën hekurudhore Durrës-Rrogozhinë. Shuma totale e granteve të pritshme të akorduara nga institucionet e BE-së  për investimet në infrastrukturë llogaritet të jetë mbi 200 milionë euro.

Ky investim është pjesë e strategjisë së BE-së për ta shtrirë Rrjetin TransEvropian të Transportit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor u shpreh Ambasadori Silvio Gonzato.  

Silvio Gonzato, Ambasador i BE në Shqipëri: Investimi më i madh i BE-së në Shqipëri deri më sot do të ndërlidhë shqiptarët brenda pjesës tjetër të rajonit dhe Evropës me tren. Linja hekurudhore e rinovuar do të nxisë udhëtimet brenda vendit, turizmin ndërkombëtar, si dhe do të mbështesë zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik të Shqipërisë. Kjo linjë do të reduktojë ndikimin mjedisor të transportit të mallrave dhe të pasagjerëve, falë elektrifikimit të saj.

Edhe BERZH, si institucioni financiar kryesor ndërkombëtar, ka një rol të rëndësishëm në këtë projekt.

Ekatarina Solovova, shefe e BERZH në Shqipëri: Ne jemi krenarë që jemi partnerë me Bashkimin Evropian për të përmirësuar rrjetin hekurudhor në Shqipëri. Ky projekt është një dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët për të nxitur lidhje më të forta rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe për ta sjellë atë më pranë BE-së. Duke investuar në infrastrukturën e gjelbër, ne po i hapim rrugën rritjes ekonomike dhe një të ardhmeje më të qëndrueshme.

Investimi do t’u mundësojë Hekurudhave Shqiptare të elektrizojnë më shumë se 120 kilometra binarë dhe të rinovojnë 12 stacione treni, përfshirë sisteme të reja sinjalizimi, si dhe përmirësime të sigurisë. Kjo do të mundësojë udhëtime më të sigurta dhe më të shpejta me shpejtësi funksionimi deri në 100 km/h.

Klan News