Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, u pyet sot për 3 orë në SPAK në lidhje me hetimet për ngjarjen e “21 Janarit”.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, ka mësuar se Prendi hyri në ambientet e SPAK në orën 15:10 dhe doli nga Prokuroria e Posaçme rreth orës 18:30.

Pasi la ambientet e SPAK, i pyetur nga gazetarët se a do të paraqitet sërish në Prokurorinë e Posaçme, Prendi tha: Sa herë të na thërrasin.

Ky ishte komenti i tij i vetëm, teksa nuk preferoi të përgjigjej nëse do të paraqitet sërish për hetimet në lidhje me çështjen e “21 Janarit”.

Një ditë më parë, në SPAK ishte thirrur për të dhënë dëshminë Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një nga viktimat e ngjarjes tragjike të 21 Janarit 2011.

Mark Nika tha para gazetarëve se “21 Janari” është një krim shtetëror dhe duhet dënuar i gjithë zinxhiri komandues i kohës kur ka ndodhur ngjarja.

Ai theksoi se u thirr në SPAK për një kasetë e cila sipas tij do shërbejë për të çuar më tej hetimin. Në Prokurorinë e Posaçme u paraqit gjithashtu edhe e veja e Aleks Nikës.

“21 Janari” i kaloi SPAK-ut për hetim me vendim të Gjykatës së Lartë duke pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave.

Në 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.

/tvklan.al