Rekord i ri infektimesh, kufizime edhe për të vaksinuarit

Infektimet ditore në Holandë prekën nivele të paarritura asnjëherë më parë gjatë kësaj pandemie, duke detyruar kryeministrin Mark Rutte të rikthejë shtetrrethimin.

Prej të shtunës, të gjitha aktivitetet jo-jetike, si dyqane, bare e restorante, do të funksionojnë me orar të kufizuar deri në orën 19:00. 24-orëshin e fundit u regjistruan mbi 16 mijë infektime të reja, teksa rekordi i mëparshëm ishte ai i 20 Dhjetorit të vitit të kaluar me mbi 13 mijë raste.

Holanda bëhet i pari vend në Europë që rikthen karantinën e pjesshme. Në shumë vende europiane ku koronavirusi po përshpejton ritmet e përhapjes, si në Greqi, Itali e Austri, karantinës po i nënshtrohen vetëm të pavaksinuarit.

Por eksperti gjerman i virologjisë Kristian Drosten, duke iu referuar rekordeve të reja pandemike të këtyre ditëve në këtë vend mendon se nuk masat bllokuese duhen rikthyer jo vetëm për të pavaksinuarit, pasi infektimet po prekin masivisht edhe personat e imunizuar.

Edhe në Itali, qeveria riktheu masat e zonave të verdha në pjesën më të madhe të vendit dhe tani vetëm 3 rajone janë ende me vigjilencë të ulët, ashtu si në verë.

Spanja njoftoi arritjen e imunitetit të tufës me vaksinimin e 92% të personave mbi 12 vjeç, niveli më i lartë mes vendeve të BE-së. Por edhe në Spanjë, infektimet kanë tendencë rritjeje dhe kryeministri Sanchez nuk përjashton rikthimin e karatinës, nëse situata përkeqësohet.

Tv Klan