Houthi paralajmëron sulme të reja. Kësaj here nën shënjestër janë të gjitha anijet e destinuara për portet izraelite dhe jo vetëm në rajonin e Detit të Kuq, tha sot udhëheqësi i organizatës rebele jemenase, Abdul Malik al-Houthi. Mediat e huaja raportojnë se Houthit po kërcënojnë të zgjerojnë sulmet e tyre ndaj anijeve të destinuara për në portet izraelite në Detin Mesdhe.

Ndërkohë që nga mesi i nëntorit, rebelët jemenas kanë nisur sulme kundër anijeve kryesisht në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit. Abdul Malik al-Houthi i kërkoi sot Kinës, Rusisë, vendeve aziatike dhe evropiane që të mos transferojnë mallra në portet izraelite.

“Të gjithë duhet të ndalojnë transportin në portet e pushtuara palestineze. Është në interesin e të gjitha kompanive që të ndalojnë transportin për armikun izraelit, qoftë në Mesdhe apo kudo tjetër,” tha al-Houthi.

Kujtojmë se sulmet Houthi kanë ndërprerë transportin ndërkombëtar, duke detyruar shumë anije të marrin rrugën më të gjatë dhe më të shtrenjtë rreth Afrikës Jugore./tvklan.al