Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit Fatos Baxhaku.

Kreu i shtetit e konsideron Baxhakun si një nga pionerët e parë të shtypit të lirë në fillim të viteve ’90, i cili nuk bëri asnjëherë kompromis me lirinë e shprehjes.

Presidenti Ilir Meta:Dhembje e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit të mirënjohur, Fatos Baxhaku! Një nga pionierët e shtypit të pavarur të fillimviteve ’90, Baxhaku spikati si një penë e mprehtë dhe kritike e tranzicionit shqiptar, por veçanërisht edhe si një nga autorët më të njohur të reportazheve të shkruara e dokumentarëve televizivë. Fatosi u bë protagonist i rendit të parë në jetën publike të vendit për tridhjetë vjet me radhë, duke e lidhur emrin e vet pazgjidhshmërisht me shtypin e lirë dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, që për të ishin mision i shenjtë!

Në këto momente dhembjeje të madhe, ju shpreh ngushëllimet e mia të ndjera dhe jam pranë familjes dhe gjithë të afërmve të Tij, të cilët humbën njeriun e tyre më të dashur, por edhe pranë komunitetit të gazetarëve që humbën shokun, mikun, kolegun e pazëvendësueshëm, modelin e profesionistit, i cili asnjëherë nuk bëri kompromis në dëm të përmbushjes së misionit, që iu dedikua me pasion dhe përkushtim shembullor. Fatosi do të na mungojë të gjithëve, por do të jetojë gjithnjë emri, thjeshtësia dhe mirësia e tij! Lutem që shpirti i Tij të prehet në paqen e përjetshme”!

Shefi i qeverisë thotë se ndarja nga jeta e Baxhakut është një lajm i pabesueshëm.

Kryeministri Rama:E pabesueshme, por fatkeqësisht jeta është edhe kjo, pa u zbutur një fije pikëllimi për Gjergj Xhuvanin, një tjetër mik i kohëve të vjetra, Fatos Baxhaku, njeri i mirë i librave e i gazetarisë së sojit më të mirë, që jetoi me një kuriozitet fëminor për natyrën njerëzore dhe me një dashuri pa zhurmë për brendinë e këtij vendi, sot e humbi betejën me sëmundjen cfilitëse…Lamtumirë Baxhak”.

Edhe kryedemokrati Basha e cilëson Fatos Baxhakun ikonë të gazetarisë dhe fjalës së lirë, veprat dhe puna e të cilit do të shërbejnë si thesar për gazetarinë shqiptare.

Lulzim Basha: “Mësova i tronditur për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit, publicistit dhe historianit Fatos Baxhaku. Një ikonë e gazetarisë së re të Shqipërisë, asaj që lindi si tribunë e fjalës së lirë, bashkë me demokracinë në vitin 1991, Fatos Baxhakut si shumë pionierëve të tjerë të fushës, iu desh të përshkonin të parët shtegun e pashkelur të profesionit dhe etikën e profesionit në të njëjtën kohë.

Ai ishte për shumë vjet edhe gazetar, edhe profesor i gazetarisë, edhe polemist e replikues, edhe sindikalist i gazetarëve, edhe mbrojtësin e të drejtave të njeriut. Fatos Baxhaku i përket asaj plejade gazetarësh që kontribuan më së shumti që të mos e linin gazetarinë të humbte thelbin e vet e të bëhej nga mbrojtëse e interesit publik, në zgjatim të interesave okulte. Në këtë fushë Baxhaku spikati në mësimdhënien e gazetarisë, por edhe si një shembull integriteti profesional dhe pavarësie.

Pionier i reportazhit e dokumentarit televiziv, gazetaria shqiptare është me fat që pati për thuajse 30 vjet shërbimet e Fatos Baxhakut. Fatkeqësisht ato nuk do t’i ketë më, por do të shfrytëzojë si thesar trashëgiminë e tij. Në këto momente të vështira i gjendem pranë familjes, në humbjen e pangushëllueshme të njeriut të tyre më të dashur. U prehtë në paqe”!

Gazetari Fatos Baxhaku u nda nga jeta në moshën 55-vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. /tvklan.al