Rama reagon për ndarjen nga jeta të mjekut Drini Dobi

Kryeministri Edi Rama përcolli ngushëllimet e tij për humbjen e mjekut Drini Dobi, i cili u nda nga jeta të mërkurën si pasojë e Covid-19. Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shkruan se keqardhja është e madhe për çdo jetë të humbur në harkun e këtij viti të pamëshirshëm ndaj shëndetit të njeriut, por humbja e shpëtimtarëve e kujdestarëve të jetës sipas tij, krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë.

“Doktor Drini Dobin nuk e kam njohur personalisht nga afër, por kam dëgjuar për të fjalët më të mira nga të gjithë dhe pamjen e tij të butë e kujtoj mirë. Së fundmi kam ndjekur përmes ministres, Ogertës, ecurinë e përballjes së tij me Armikun e Padukshëm, e më pas vështirësinë e madhe të krijuar nga ndërlikimet që u shfaqën në gjendjen shëndetësore të mjekut të nderuar. Është e madhe keqardhja për çdo jetë të humbur në harkun e këtij viti të pamëshirshëm ndaj shëndetit të njeriut, por humbja e shpëtimtarëve e kujdestarëve të jetës, siç ishte edhe Doktor Drini, krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë. Me këtë ndjesi e me lutjen që të prehet në paqe, i përcjell ngushëllimet e mia vëllazërore familjes, miqve e kolegëve të tij. Rrofshin dhe e kujtofshin gjithmonë”, shkruajti Kryeministri.

Mjeku Dobi ishte dërguar në Itali për mjekim më të specializuar pasi gjendja e tij ishte përkeqësuar pas infektimit me Covid-19. Pak ditë më parë, familjarë të mjekut kishin bërë apel dhe thirrje për të mbledhur sa më shumë fonde për kurimin e tij, por fatkeqësisht ai nuk mundi ta fitonte betejën, duke ndërruar jetë./tvklan.al