aksident ne durres

Në këtë vend, ku gjurmët ende nuk janë fshirë, një aksident fatal i mori jetën mesnatën e mbrëmshme nje 32 –vjeçari. Tre persona të tjerë u plagosën.

Artur Shima humbi jeten pasi mjeti që ai drejtonte u godit nga një fuoristradë tip Mercedes Benz që drejtohej nga Mirand Lala.

42 -vjeçari Lala, nga Maminasi, ishte futur në krah të kundërt të autostradës, në drejtim të Tiranës.

Policia tha se ai ishte në gjendje të dehur. Nuk dihet se sa ka ecur në krah të kundërt dhe se në ç’vend është futur ai në autostradë.

Makina që ai drejtonte i dehur, është përplasur me makinën e 32- vjeçarit nga Durresi pranë mbikalimit të këmbësorëve në Shkozet, rreth orës një të mëngjesit.

Në makinën e Artur Shimës ndodhej një 30 –vjeçare me inicialet A.B, nga Durrësi, e cila është në gjëndje të rëndë.

Plagë të rënda ka marrë edhe një 58- vjeçar me inicialet Q.K që gjendej në makinë me Mirand Lalën, edhe ky i plagosur, por me plagë më të lehta.  Drejtuesi i fuoristradës është arrestuar në flagrancë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe shkaktim të aksidentit me pasojë vdekjen.

Një grup hetimor i përbërë nga ekspertë të policisë rrugore dhe prokurorisë po punon ndërkohë për zbardhjen e plotë te rrethanave të ngjarjes.

Tv Klan