Studioja e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan preku një histori emocionuese e të dhimbshme gjatë rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty”. Kozma Shorja, ka ardhur posaçërisht nga Verona e Italisë për të na njohur me një të kaluar jo të lehtë.

Fëmijëria e tij në një fshat të Kavajës ku jetonte në varfëri, u shenjua nga një kalvar sakrificash e mundimesh në moshën e adoleshencës, kur u detyrua të merrte rrugën e vështirë të emigracionit. Fare i ri, iu desh të përballej me egërsinë e tij, humbjen dhe përpjekjen për të përmbushur një premtim.

Kozma Shorja: Unë vij nga një familje prej 9 anëtarësh. Në ‘94-95 isha 15-16 vjeç dhe duke parë gjendjen ekonomike të familjes, marr rrugën për në Greqi. Për herë të parë që bëja rrugën e Greqisë, i vogël isha, na grabisin çfarë kishim në xhepa. Nisemi për rrugë dhe arrij në Veria të Greqisë. Me shumë sakrifica atje, punoj 3-4 muaj dhe kthehem në Shqipëri me ato të holla që kisha sepse mendoja për familjen që kishte shumë borxhe dhe thosha që me të ardhurat që kisha bërë të laja diçka.

Ardit Gjebrea: Megjithatë ti motrës i bëre një premtim.

Kozma Shorja: Po. Motrës i thashë që lër datën e dasmës sepse paratë do jua sjell unë. Ndërkohë, një javë përpara më vjen në dy të natës mafia në dhomë.

Ardit Gjebrea: Kur ti thua mafia e ke fjalën për njerëz me kapuç?

Kozma Shorja:Po. Unë paratë, ngaqë ia kisha premtuar motrës, nuk doja t’ia tregoja. Ata me shumë tortura, me goditje e gjëra m’i gjetën dhe u detyrova të rrija sërish të punoja sepse nuk kisha asnjë lek të shkoja në Shqipëri për të paguar dasmën e motrës.

Kozmai tregon se për një muaj punonte në ara gjatë ditës e netëve ngarkonte e shkarkonte dengje. Nga këto punë, ai arriti të mblidhte rreth 1 milionë e gjysmë Lekë të vjetra për t’u kthyer në Shqipëri e të ndihmonte familjen./tvklan.al