Flodian Plaku, i njohur edhe me mbiemrat Serjani dhe Mamo u shpall në kërkim nga Policia e Tiranës si një nga autorët e vrasjes së Gentian Bejtjes në Mars të këtij viti në banesën e tij në Larushkë.

41-vjeçari nga qyteti i Vlorës rezulton të ketë patur rolin e qitësit në këtë atentat dhe sipas burimeve u identifikua nga materiali biologjik gjetur në makinën me të cilën u larguan autorët pasi dogjën mjetin e përdorur në atentat.

Plaku nuk është i panjohur për autoritetet pasi rezulton i skeduar për trafik ndërkombëtar kanabisi kryesisht drejt Italisë dhe besohet të ketë dalë jashtë vendit disa kohë më parë.

Në 26 Korrik, Gjykata e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë caktoi ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë dhe gjatë këtyre javëve në përpjekje për gjetjen e tij, policia ka ushtruar kontrolle në Vlorë.

Me vendim të Gjykatës gjithashtu u ushtruan kontrolle edhe në një agjenci udhëtimesh në Lezhë, ku janë sekuestruar disa dokumente dhe pajisje elektronike që ashtu siç thotë Policia kanë rezultuar të vlefshme për hetimet.

Më herët për këtë ngjarje janë vënë në pranga Edison Haxhiu, 30 vjeç dhe Ilir Beqaraj i njohur edhe me mbiemrat Brahimi dhe Mançellari.

Të dy këta u identifikuan pasi Policia arriti të gjurmojë mjetet e përdorura për atentatin dhe largimin nga vendi i ngjarjes.

Atentati është kryer me një makinë “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë me të cilën autorët kanë shkuar deri në fshatin Hasan ku e kanë djegur dhe më pas janë larguar me një “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, në pronësi të një prej të arrestuarve, makinë që u gjet më pas nga Policia e Tiranës.

Tv Klan