Ilir Proda është zyrtarisht Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Vendimin e bëri me dije ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha pas mbledhjes së qeverisë ku mori dhe dritën jeshile i Prodës, që deri tani mbante postin e Drejtorit të Policisë së Elbasanit.
“Me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave miratoi Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Ilir Proda. Pas një konkurrimi mbi më shumë se 10 drejtuesish të lartë policie dhe verifikimet e bëra nëpërmjet procesit të pastërtisë së figurës së kandidatëve, kandidati i cili sot u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë do të jetë në krye të Policisë së Shtetit”, tha ministri Hoxha.
Me emërimin e Ilir Prodës në krye të policisë, ministri i Brendshëm njoftoi se tashmë do të nisë gara për drejtuesit e qarqeve.
“Menjëherë pas emërimit të tij si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, do të vendosim konkurrimin e ri i cili do të hapë një proces të ri përsa i përket të gjithë drejtuesve në qarqe”, theksoi ministri Hoxha.
Ilir Proda u përzgjodh në krye të Policisë së Shtetit mes 15 kandidatëve në garë.
Emri i tij ishte mes 5 drejtuesve më të vlerësuar me pikë nga komisioni i posaçëm i ngritur nga ministria e Brendshme.
Ilir Proda vjen në këtë detyrë pas një karriere prej 19 vitesh në polici, ku ka mbajtur disa detyra.
Nga specialist krimesh, shef komisariati apo zëvendësdrejtor për hetimin e krimeve.
Së fundmi ai ishte në krye të Policisë së Elbasanit, post që e mbante prej Marsit 2023.
Tv Klan