Komisioni i Etikës ka vendosur masa disiplinore për 24 deputetët demokratë, të cilët bllokuan zhvillimin e seancës plenare ditën e hënë.

Për ata që ishin zjarrndezësit e karrigeve opozitare në oborrin e Kuvendit dhe që qëlluan në drejtim të Kryetares së Kuvendit me këmbët e karrigeve të dëmtuara, masa ishte më e ekstremja e dhënë ndonjëherë që prej ndryshimit të rregullores së Kuvendit. Flamur Noka, Gazmend Bardhi dhe Bledion Nallbati përjashtohen për 60 ditë nga punimet e Kuvendit.

Dënimin më të lehtë pas këqyrjes se pamjeve filmike nga kryetarja e këtij Sekretariati, Klotilda Bushka, e cila nuk ishte në seancën e ditës së hënë, iu dha Edi Palokës me 10 ditë, ndërsa 20 deputetët e tjerë të opozitës përfshirë dhe Monika Kryemadhin e PL dhe Vangjel Dulen e PBDNJ, u përjashtuan të gjithë për 40 ditë.

Por vendimmarrja e përfaqësueseve të shumicës në Sekretariat erdhi pas debateve të shumta me deputetë e opozitës për të cilët ishte kërkuar masë disiplinore, të cilët për disa minuta ia dolën të pengonin zhvillimin e mbledhjes.

Noka i ndoqi socialistët deri në zyrën e grupit të tyre parlamentar, ku u mblodhën në pritje të qetësimit të situatës.

Më pas demokratët u larguan me premtimin që në seancën e nesërme socialistët nuk do të gjejnë sërish qetësi.

Seanca plenare e paradites së nesërme pritet të sjellë sërish kaos, pasi demokratët, siç kryetari i tyre i Grupit Parlamentar deklaroi në rrjetet sociale, paralajmëroi se do të vazhdojnë të jenë përballë kryeministrit, si brenda dhe jashtë Kuvendit.

Përjashtimet Bardhi i lexon si frikën e Edi Ramës të cilit i kujton se këto masa ndaj opozitës nuk ia ndryshojnë dot fatin që kanë përcaktuar shqiptarët që përbuzin krimin e organizuar në qeverisje.

Tv Klan