“Ilir Proda është zyrtarisht drejtor i ri i Policisë së Shtetit. Emri i tij u miratua nga Këshilli i Ministrave pas rekomandimit që bëri pak ditë më parë ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.”
Ilir Proda i cili deri më tani mbante postin e drejtorit të policisë së Elbasanit, do të drejtojë 12 mijë uniforma blu. Ai u zgjodh mes 15 kandidatëve të cilët u vlerësuan nga komisioni i posaçëm i ministrisë së Brendshme. 5 prej tyre u renditën me rezultatet më të mira, por sipas ministrisë së Brendshme pikët maksimale i fitoi Ilir Proda.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se dritën jeshile për Ilir Prodën e kanë dhënë të gjithë organet ligjzbatuese.
“Ilir Proda i përket gjeneratës së re të oficerëve të Policisë së Shtetit. Me një karrierë prej 19 vitesh, Proda e nisi rrugëtimin e tij në komisariatin nr.3 në Tiranë, në vitin 2005. Në vitin 2013 ai mori post drejtues për herë të parë, atë të shefit të komisariatit nr.2 në kryeqytet. Pozicione drejtuese më pas ka patur në drejtorinë e përgjithshme kryesisht në hetimin e krimeve kundër personit dhe pasurisë, zëvendës drejtori në Korçë dhe Elbasan. Në këtë të fundit prej marsit të vitit të shkuar mbante pozicionin e drejtorit të qarkut.”
Ilir Proda do të marrë zyrtarisht stafetën nga drejtori në detyrë Sokol Bizhga të enjten pas një ceremonie që do zhvillohet në Policinë e Shtetit.
Klan News