Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka arritur të provojë pastrimin e 20 milion Eurove të ndarë në dy këste për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Burime bëjnë me dije për Klan News se 20 milion Eurot, dyshohet se janë investuar në prona të paluajtshme, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Për këtë arsye Prokuroria e Posaçme është duke bashkëpunuar në këtë hetim me disa shtete të tjera, si Turqi, Itali, Lituani, Hollandë, Poloni dhe Bullgari. Në bazë të rezultateve të hetimit SPAK bën me dije se aktiviteti kriminal i pastrimit të parave është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare.

Kjo e fundit ishte firmosur mes Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k.. kontrata kishte afat 6-vjeçarë për të bërë ndërtimin e inceneratorit dhe kapsulimin e mbetjeve në landfillin e sharrës. SPAK bën me dije se 8 të dyshaurit, të cilëve u është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në brug” duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme kanë përfituar në mënyre të paligjshme 20 milion euro.

“Personat pjesëmarrës të këtij grupi të strukturuar kriminal kanë përfituar vlera monetare të mësipërme, si produkte të veprës penale, duke marrë vlerat monetare nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet tërheqjes së vlerave monetare në cash.”

Sipas hetimeve të SPAK të dyshuarit kanë bërë transaksione, të ndryshme bankare në kompani fiktive të cilat ishin krijuar jashtë vendit me qëllim përvetësimin e parave. Përpos transaksioneve burime bëjnë me dije se në disa raste janë tërhequr parat kesh nga llogaria bankare e kompanisë  “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k. dhe i janë dërguar Mërtirit dhe Zotos.

Prokuroria e Posaçme është duke verifikuar edhe rolin e disa personave të tjerë që dyshohet se kanë përfituar para në mënyrë të paligjshme. SPAK ka rënduar pozitën e Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, ata janë dënuar nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë për çështjen e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit dhe po ashtu kanë një masë sigurimit arrest në burg në mungesë për inceneratoritn e Tiranës. 8 të dyshuarit akuzohen për “Mashtrim”, me pasoja të rënda, “Pastrim Parash”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.  

Sipas policisë së shtetit 5 shtetasit shqiparë dhe 3 të huajt janë larguar jshtë vendit dhe nuk është bërë e mundur arrestimi i tyre. Ata do të shpallen në kërkim ndërkombëtarë nga Interpol Tirana. 

Klan News