Veriu i Kosovës nuk gjen qetësi. Një aksion policor kundër mallrave kontrabandë çoi në përplasje mes banorëve dhe efektivëve të policisë. Qytetarë të shumtë u mblodhën në rrugë për të kundërshtuar këtë operacion. Shumë shpejt situata u tensionua. Protestuesit hodhën sende të forta në drejtim të efektivëve. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë. Të paktën 6 persona mbetën të plagosur. Serbët në Mitrovicën e Veriut e kanë kundërshtuar që në nisje këtë operacion.

Mediat vendase raportojnë se të lënduar kanë mbetur 5 zyrtarë të Kosovës dhe një qytetar serb. Ndërkohë, autoritetet deri më tani kanë shoqëruar të paktën 8 persona.

“Në të gjitha rajonet e tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë të Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Aksioni i paralajmëruar i policisë u shtri në disa zona të Kosovës, përfshirë Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës. Operacioni nisi që në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe mësohet se janë sekuestruar një sërë mallrash të cilat dyshohet se janë kontrabandë.

 

Aksioni i policisë në veri, Kurti jep detaje dhe u bën thirrje qytetarëve: Mos bini pre e mediave në Serbi që mbrojnë krimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë më shumë detaje sa i përket operacionit të ndërmarrë këtë të mërkurë nga policia atje.

“Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës. Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri).

Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale. Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar.”.
Më tej, Kurti u bën thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës “që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”.

 

Bërnabiç kërkon reagimin e ndërkombëtarëve pas aksionit në veri: Ndalni politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë teksa Policia dhe Dogana e Kosovës njoftuan se po zhvillojnë aksion kundër kontrabandës në disa lokacione, përfshirë edhe komunat në veri të vendit.

“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin (v.j. kryeministrin e Kosovës) Albin Kurtin. Situata është më se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, tha Bërnabiç përmes një komunikate për media.

 

Borrell: Të ndalen menjëherë incidentet e dhunshme në veri

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell kërkoi që “incidentet e dhunshme në veri të Kosovës të ndalen menjëherë”. Sipas tij, veprimet “e njëanshme dhe të pakoordinuara” që vënë në rrezik stabilitetin janë “të papranueshme”.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne jemi në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin”, shkruajti Borrell në Twitter.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është paralajmëruar se do të takohet në Rashkë me përfaqësuesit serbë nga Kosova. Rashka është qytet në Serbi që afërsi të kufirit me Kosovën, përkatësisht pranë pikëkalimit kufitar në Jarinjë./tvklan.al