Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit u mblodh sërish këtë të mërkurë. Megjithatë, është shoqëruar me debate, madje edhe me largimin e mazhorancës me pretendimin se është shkelur rregullorja.

Mbledhja e sotme u pasua me një incident mes kryetarit të komisionit, Enkelejd Alibeaj dhe drejtoreshës së Shërbimeve në Kuvend, Lefterie Zguri, e cila kërkoi ndërprerjen e Komisionit pasi u largua mazhoranca. Por kjo u kundërshtua nga Alibeaj. Pavarësisht kësaj, nga ana e Kuvendit u ndërpre sinjali i transmetimit për media.

Në një prononcim për mediat, Alibeaj tha se sipas rregullores, sinjali ndërpritet kur përfundon mbledhja. Ai u shpreh se administrata e Kuvendit është futur në mënyrë të paligjshme për të ndërprerë punën e Kuvendit.

“Sipas rregullores dhe ligjit, sinjali ndërpritet kur përfundon mbledhja e komisionit. Administrata e Kuvendit u fut në mënyrë antiligjore për të ndërprerë punën e Kuvendit. Duket qartë strategjia e PS, është hera e tretë që tentuan të pengojnë mbledhjen e Komisionit”, tha Alibeaj.

Sipas kryetarit të Komisionit Hetimor, mazhoranca synon që të pengojë hetimin e zgjedhjeve të 25 Prillit. Ai u shpreh se do të kërkojë procedim disiplinor madje do të bëjë edhe kallëzim penal për përgjegjësit që shkaktuan incidentin ditën e sotme./tvklan.al