Çmimet e produkteve të konsumit u rritën me 8.9%

Inflacioni në Eurozonë shënoi një tjetër rritje të ndjeshme në Europë përgjatë muajit Korrik.  Çmimet e produkteve të konsumit në 19 shtete të unionit që përdorin si monedhë të tyre Euron shënuan një rritje me 8.9 % nga 8.6% që ishte muajin  e shkuar.

Sipas Eurostat rritja e inflacionit në këto nivele është larg parashikimit të Bankës Qendrore Europiane e cila kishte si synim mbajtjen e rritjes së tij nën 2% .  Ky nivel i inflacionit në eurozonë është më i larti që prej vitit 1999.

Pengesat e furnizimit pas pandemisë dhe fillimi i luftës Rusi – Ukrainë kanë qenë ndër faktorët kryesor që kanë sjellë rritjen e çmimeve të energjisë, metaleve të çmuara si dhe produkteve ushqimore bazë.

Spanja ka rritjen më të lartë të inflacionit me 10.8% nga 10.2% që ishte muajin  e shkuar duke shënuar shifrën më të lartë që nga Shtatori i vitit 1984.

Vetëm përgjatë 12 muajve të fundit në Francë çmimet e produkteve të konsumit janë rritur me 6.1% duke bërë kështu më të vështirë për shumë qytetarë përballimin e kostove të jetesës.

Banka Qendrore Europiane do të mblidhet në datën 8 shtator për të konsideruar mundësinë e rritjes së normës së interesi.

Tv Klan