6 shqiptarë ranë në prangat e policisë italiane, pas raportimeve të shumta të vjedhjeve në qytezën e Ternit, nga 16 në 20 Mars. Shqiptarët kishin bërë disa thyerje vilash brenda një nate, ku ishin larguar me orë të shtrenjta, para, bizhuteri dhe aparate fotografike me vlerë mbi 50 mijë euro.

Sipas mediave vendase, ata u ndaluan në oborrin e shtëpisë ku jetonin, pikërisht në momentin kur po ndanin me njëri – tjetrin sendet e vjedhura.

Shqiptarët e arrestuar janë të moshës nga 22 në 36 – vjec.

Ata janë 3 vëllezërit Ervis, Armond dhe Kadri Manjani. Të tjerët janë identifikuar si Orhan Miftani, Adriatik Xheleshi dhe Gezim Suma.

Ata u pikasën nga një skuadër policie e lëvizshme, e cila tentoi t’i ndalonte, por të rinjtë mundën të shpëtonin përkohësisht.

Nga hetimet rezultoi se të gjashtë jetonin pa dokumenta të rregullta, madje dy prej tyre ishin dëbuar nga Italia, por kishin mundur të ktheheshin sërish atje.

Aktualisht po bëhet regjistrimi i sendeve të vjedhura dhe kthimi tyre te pronarët, por mungojnë dy pistoleta të vjedhura pak kohë më parë.

Megjithëse klandestinë, ata kishin arritur të merrnin një shtëpi me qera që e kishin kthyer në bazë të përgatitjeve për grabitjet e radhës.

Tashmë të gjithë janë dërguar në qeli dhe së shpejti do të dalin para gjykatës.

Tv Klan