Thuajse e gjithë karriera artistike e Manjola Nallbanit si këngëtare e muzikës së lehtë, e traditës dhe asaj operistike do të vijë në një koncert të vetëm, në recitalin që artistja ia kushton publikut, ndjekësve të muzikës së saj nën titullin “Jetë me ju”.

Prova e fundit në “Qendrën Kulturore të Kishës Orthodokse”, aty ku do të mbahet edhe koncerti sonte në mbrëmje.

Repertori! Ai do të përfshijë këngë që shënjuan karrierën artistike të Manjola Nallbanit, pjesëmarrjet e shumta nëpër festivale, shpesh herë kurorëzuar me çmime të para.

Jo vetëm retrospektivë, por edhe krijime më të freskëta për kujtesën e një brezi më të ri. Harta e muzikës popullore do të përfshijë gjithë trevat e Shqipërisë.

Për recitalin e saj, bashkëpunëtorët e Manjola Nallbanit janë ndër emrat më të mirë të tregut të muzikës, muzikantë të njohur e kolegë, miq të artistes.

Në skenën ku muzika luhet drejtpërdrejt nën kujdesin artistik të Elton Dedës, janë menduar elementë spektakli me protagonistë Aurela Gaçen, Eli Farën, Kastriot Tushën apo Shkëlzen Jetishin.

E duartrokitur ndër vite, e vlerësuar për kontributin e saj në muzikë, Manjola Nallbani i kthen borxhin publikut që e mbështeti ndër vite me “Jetë me ju”.

Tv Klan