Makinat e parkuara rëndojnë qarkullimin

Për ata të sëmurë në gjendje të rëndë qoftë edhe me Covid-19 është një kalvar i gjatë mundimi për të mbërritur tek shtretërit e infektivit apo QSUT-së. Trafik makinash me shoferë të inatosur, të cilët mezi presin të shkojnë në denstinacionin që duan. Kjo sepse Unaza e Vogël e kryeqytetit nga dy korsi ka mbetur vetëm me një të tillë si pasojë e parkimit dysh dhe bllokimit me makina të parkuara në të gjithë gjatësinë nga “Zogu i Zi” e deri tek spitalet.

Policët edhe pse thuhet janë përqendruar për mënyrën e sjelljes së drejtuesve të mjeteve në rrethrrotullim dhe përparësitë ndaj këmbësorëve po e tolerojnë me vetëdije këtë situatë.

Radhë të gjata automjetesh në trafik u vërejtën edhe në rrugët e brendshme të kryeqytetit. Edhe pse shumica e banorëve pretendohet të jenë nëpër plazhe apo nëpër male për turizëm, trafiku i kësaj të enjte ka nervozuar shoferët jo vetëm në këtë aks, por në të gjitha rrugët e brendshme të kryeqytetit.

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes të gjithë rrugët e Tiranës ishin të përfshira në trafik. Situata vazhdon të jetë e rënduar sidomos në rrugët hyrëse, kjo si pasojë e mungesës së mbikalimeve dhe nënkalimeve në rrugët kryesore të Tiranës.

Madje edhe ambulancat e kanë patur mjaft të vështirë të kalojnë në këtë trafik të rënduar. Arsyeja kryesore e trafikut të rënduar është edhe ngushtimi i rrugëve për shkak të punimeve në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Zonat  më problematike janë Unaza e Vogël dhe kryqëzimi i “Vasil Shantos”.Edhe pse shkollat ende s’kanë filluar, radhët kanë krijuar shqetësim te qytetarët.

E njëjta situatë vijoi për disa orë edhe tek “Dogana”, ku drejtuesve iu deshën të presin me kohë të gjatë në kryeqytet.

Klan Plus