Juve

Juventus ka siguruar trofeun, e dytë të rëndësishëm në këtë sezon duke fituar Kupën e Italisë në finalen e luajtur përballë Lazios. Tashmë Juventusi do të tentojë të fitojë edhe Ligën e Kampioneve përballë Barcelonës.

Juventus pas kampionatit ka fituar edhe Kupën e Italisë, një trofe që nuk e merrte prej 20 vitesh. Ekipi torinez ka mundur Lazio me rezultatin 2 – 1 në finalen e zhvilluar në stadiumin “Olimpico” ku janë dashur edhe pjesët shtesë.

Ndeshja ka nisur me gola që në minutat e para. Fillimisht ka shënuar Lazio me anë të rumunit Radu. Juventus ka barazuar në 1 – 1 rezultatin me Chiellini. Koha rregullt ka përfunduar pa gola të tjerë. Shtesën e parë ka qenë më e emocionuese ku Djordjevic ka goditur shtyllën dhe më pas Matri i futur në lojë si zëvendësues i Llorente ka shënuar golin e fitores.

Kjo është hera e dhjetë që Juventus fiton Kupën e Italisë, por mund të quhet edhe një hakmarrje për finalen e vitit 2004 ku triumfator ka qenë Lazio. Asnjë trofe kështu për ekipin kryeqytetas ku luajnë shqiptarët Etrit Berisha, Lorik Cana dhe Thoma Strakosha. Portieri Berisha ka luajtur në këtë finale pa arriur të ngrejë trofeun e tij të parë në Itali.  

Tv Klan