Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për kryerjen e një riekspertimi për kostot e dëmit ekonomiko-financiar të demontimit në fabrikën e Poliçanit.

Në një lidhje direkte me Klan News, pas këtij vendimi Mediu shprehet se sipas vlerësimit të ekspertëve të pavarur sipas tij është vënë re se ligjshmëria e këtij akti është cënuar.

Fatmir Mediu: Fatmir Mediu është hetuar në të gjithë botën dhe nuk është gjetur asgjë dhe ngelën në një akuzë që është “shpërdorimi i detyrës” që siç thashë është e parashkruar. Që të ketë shpërdorim detyre patjetër duhet të ketë një dëm ekonomik dhe në vitin 2008 është bërë një akt ekspertize sa i përket dëmit ekonomik dhe i veshin tani çdo gjë që i vishet gjithë masës së atyre që janë akuzuar duhet të jetë patjetër edhe ministri. Çfarë ka bërë kombinati i Poliçanit, vlerat që janë vendosur, çfarë ka bërë komisioni i çmimeve apo strukturat e tjera që nuk ka asnjë lidhje me ministrin e Mbrojtjes në vendimmarjen e tyre, as karakterit funksional të detyrës së ministrit dhe as karakterit subjektiv dhe kjo provuar me dëshmitarët që ka thirrur Prokuroria.

Ndër të tjera ish-ministri Mediu shprehet se kanë dorëzuar mbi 200 pyetje dhe se nuk kanë marrë përgjigje të 90% të këtyre pyetjeve.

Fatmir Mediu: Nuk mund t’i mbrohesh budallikut. Është alogjike, prandaj kërkuam akt të ri ekspertimi. Çmimi dhe vlera e mallit të tregut siç ishin municionet që shiteshin për qëllime luftarake sipas ekspertëve është më e vogël se çmimi i një malli të skaduar i cili jepet për të demontuar dhe për të demontuar duhen makineri, fuqi punëtore ka kosto të tjera shtesë në një kohë që shitja është një proces i thjeshtë.Nuk është se do të zgjasë pafund sepse ne jemi në fazën ku unë po bëj kundërpërgjigjet për atë se çfarë kanë thënë ekspertët në përgjigje sepse ne ju shtruam 200 pyetje dhe nuk u janë përgjigjur pothuajse mbi 90% të pyetjeve. Kanë thënë që nuk ka të bëjë me aktin tonë të ekspertimit . Nuk kanë vlerësuar as ligje, as vendime të Këshillit të Ministrave as urdhra apo të gjithë praktikën e marrëdhënieve, edhe e kanë deklaruar këtë. Kanë thënë që nuk kemi gjetur asnjë përgjegjësi të ministrit sa i takon dëmit ekonomik. Kanë bërë një pasqyrë dhe në atë pasqyrë nuk ka dëm të shkaktuar nga ministri, por në këtë rast prokuroria thotë jo e dimë ne nuk e dini ju.

Ndërkohë kujtojmë që mbrojtja ligjore e Mediut paraqiti kundërshtimet e saj në lidhje me përgjigjet e pesë ekspertëve të pavarura në dy seancat e kaluara.Ata kërkuan që të merret si provë një ekspertizë e specialistëve privatë dhe të bëhet pjesë e fashikullit një memo me kundërshtimet e tyre./tvklan.al