Detaje të reja kanë dalë nga laboratori i drogës, i cili u zbulua  mëngjesin e sotëm nga policia në zonën e Selitës në kryeqytet në një godinë të vjetër që dikur i përkiste shtetit.

Gazetari Besar Bajraktaraj ka raportuar për Klan News, se policia është njoftuar nga persona që janë pjesë e Agjencisë së Kadastrës, të cilët kanë konstatuar aktivitetin e paligjshëm dhe më pas kanë njoftuar dhe autoritetet.

Mësohet së për momentin nuk ka persona të arrestuar, por vetëm disa të dyshuar që janë shoqëruar në polici.

“Të paktën deri në këto momente ka patur shoqërimin e disa personave, janë duke u marrë në pyetje, megjithatë ende nuk ka persona të cilët janë arrestuar. Sigurisht që pritet të ketë një arrestim të personave që dyshohen përgjegjës, pasi kemi të bëjmë me një aktivitet kriminal në një ambjent shtetëror.”

Për sa i përket bimëve që kultivoheshin brenda në magazinë, gazetari Bajraktaraj raporton se janë sekuestruar nga policia teksa këta të fundit nuk e kanë bërë të ditur llojin apo numrin e bimëve.

“Nga policia ende nuk bëhen të ditura bimët që janë gjetur, megjithatë sipas policisë janë sekuestruar, si bimët që po rriteshin, po ashtu edhe pajisjet që përdoreshin për ventilimin apo për rritjen e bimëve narkotike, dhe sigurisht gjatë ditës së sotme pritet të ketë edhe një informacion zyrtar nga ana e policisë.”

Ndërkohë, policia po verifikon të gjithë ambjentin për sa i përket mundësisë së ndonjë pamjeje filmike ç’ka mund të ndihmojnë ndoshta për të evidentuar hyrje-daljet e personave që mund të dyshohen si persona përgjegjës./tvklan.al