Katër persona, dy prej të cilëve vëllezër, u arrestuan nga Policia e Korçës dhe Pogradecit, në një operacion antidrogë, gjatë të cilit u bllokuan 10 kilogramë kanabis, si dhe armë e municione.
Të arrestuarit janë vëllezërit Erand dhe Enrik Malo, përkatësisht 25 dhe 19 – vjeç, Ervis Dushi 29 – vjeç dhe Reviol Capo, 31 – vjeç, të gjithë nga Pogradeci.
Tre nga katër këta persona ishin depërtuar nga policia maqedonase, pasi në një automjet në pronësi të Arben Bashllarit u gjetën rreth 10 kilogramë kanabis.
Gjatë hetimit, policia gjeti edhe sekuestroi në banesat e të arrestuarve edhe 3 pako me peshë 10 kilogramë lëndë e dyshuar si narkotike kanabis sativa, 1 krëhër automatiku me 27 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Sipas policisë dyshohet se këta persona synonin që lëndën narkotike ta trafikonin drejt Maqedonisë. Të katër personat akuzohen për trafik droge, prodhim e shitje të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje etj.
Tv Klan