12 gramë heroinë është zbuluar në tualetin e dhomës së takimeve me familjarët, në burgun e Drenovës në Korçë, pas një kontrrolli të befasishëm, mesnatën e kaluar.

Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve thotë se menjëherë është pezulluar nga detyra Shefi i Policisë së Burgut, Adriatik Parazi, si dhe 7 punonjës të tjerë të policisë.

Në bashkëpunim edhe me prokurorinë po punohet për zbardhjen e rrethanave të futjes së drogës në ambientet e burgut.

Tv Klan

Njoftimi zyrtar i Drejtorisë së Burgjeve:

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pas lajmit të publikuar sot në media rreth një sasie lënde narkotike të kapur në oborrin e IEVP Drenovë ju bën me dije se:

E vërteta e sasisë së kapur qëndron krejt ndryshe. Pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, strukturat e specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, rreth orës 12 pas mesnatës së djeshme kanë ndërmarrë nje operacion blitz pranë kësaj IEVP. Nga kontrolli është konstatuar një sasi prej rreth 10-12 gram lënde narkotike e dyshuar heroinë, e fshehur në tualetin e dhomës së takimeve me familjarët.

Menjëherë pas konstatimit të lëndës narkotike janë kryer veprimet e para proceduariale, si dhe është njoftuar Policia e Korçës, si dhe Prokuroria e rrethit.

Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u mor në mënyrë të menjëhershme masa e pezullimit të Shefit të Policisë së IEVP Drenovë, si dhe e disa punonjësve të tjerë të policisë.

Ndërkohë vijojnë hetimet nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për rastin në fjalë, si dhe për nxjerrjen e përgjegjësive.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, duke falenderuar mediat për pasqyrimin e rastit, ju bën me dije se është në interesin dypalësh pasqyrimi i versionit zyrtar të vërtetë dhe jo i teorive të pavërteta.