Leja e ndërtimit për karburantin u dha në kundërshtim me ligjin

Leja që u dha për një karburant në aksin rrugor “Plepa-Kavajë” dhe ndërtimi i një devijimi të rrugës kryesore për hyrje-dalje, çon në qeli zyrtarë të tjerë të ARRSH dhe ndërtuesin e objektit.

Rezart Arkaxhiu, 36 vjeç, ndërtues dhe Astrit Zenelaj, 56 vjeç, drejtor në Autoritetin Rrugor Shqiptar janë arrestuar nga Policia e Durrësit në kuadër të operacionit policor By Pass-i. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe dhënie ndihme për ndërtime pa leje.

Më herët në prangat e policisë kanë rënë edhe 5 zyrtarë të tjerë, Xhevat Vataksi, Afërdita Basha, Lek Tushaj, Agron Hasa dhe Kastriot Braha. Tre të fundit u lanë të lirë me detyrim paraqitje nga gjykata e Durrësit pas rivlerësimit të masës së sigurisë.

Faktet mbi të cilin është regjistruar ky procedim kanë të bëjnë me një sërë aksidentesh automobilistike që kanë ndodhur në rrugën nacionale Plepa Kavajë dhe konkretisht në kilometrin e tretë, aty ku ndodhet një pikë furnizimi me karburant, i cili dyshohet se është ndërtuar dhe ka marrë leje në kundërshtim me ligjin.

Tv Klan