“Presidenti duhet të zgjidhte 1 nga 3 emrat e parë të listës”

Akuzave të Presidentit të Republikës u është përgjigjur menjëherë kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Në një deklaratë për mediat, ai i konsideron të pavërteta thëniet e kreut të shtetit për procedurën e ndjekur për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

“Të pavërteta, por edhe si tërësisht të papërshtatshme në aspektin institucional dhe etik, jo vetëm qëndrimin, por edhe sjelljen dhe gjuhën e përdorur nga Presidenti i Republikës, në raport me vendin, dinjitetin dhe prestigjin që i cakton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.  

Sipas kreut të KED, Presidenti duhet të kishte zgjedhur njërën prej 3 kandidaturave të para në listën që i ishte vënë në dispozicion. 

“Organet e emërtesës duhet të zgjedhin vetëm njërin prej tre kandidatëve të renditur në tri vendet e para nga KED. Madje këto organe duhet ta ushtrojnë këtë kompetencë brenda 30 ditëve, i cili, si afat prekliziv, nuk mund të zgjatet përtej këtij afati. Nëse nuk e ushtrojnë kompetencën në këtë afat, kandidati i renditur i pari është gjyqtari i zgjedhur/emëruar”.

Presidenti dekretoi Marsida Xhaferllarin që renditej e katërta në listën e KED-së madje e firmosi atë përtej 30 ditëve me argumentin se Kushtetuta nuk i përcaktonte ndonjë afat.

Por kreu i KED thotë se Kushtetuta nuk i njeh asnjë institucioni “lirinë” për të emëruar përtej tri emrave të parë të renditur prej saj sepse kjo do të përbënte uzurpim të kompetencave të saj. Ndaj KED thotë se njeh Arta Vorpsin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese e cila ishte e para në listë dhe e zgjedhur automatikisht meqë Presidenti nuk u shpreh brenda 30 ditëve.

Tv Klan