Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi thotë se premtimi i tij për transportin falas në Tiranë do të ketë një kosto prej rreth 16.8 milionë Euro në vit.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Këlliçi tha se për biletat dhe abonetë në vit, të dyja bashkë kanë këtë kosto.

“Viti para pandemisë është numri më i lartë i pasagjerëve në transportin publik në Tiranë. Numri total është 28, 666, 000 bileta. Numri i aboneve është 490,546. Të kombinuar në një kosto të dyja shkojnë 16.79 milionë Euro në vit. Do destinojmë një fond prej 5 milionë Eurosh në vit për të modernizuar flotën e autobusëve për të patur në të ardhmen edhe autobusë hibridë për të ulur kostot e mirëmbajtjes, për të ulur karburantin, dhe për të modernizuar edhe stacionet e autobusit ku sot nuk ke asnjë shenjë dalluese.

Kjo është një çështje që nuk prek vetëm transportin urban, kjo i kushton familjeve që e përdorin transportin publik mesatarisht 52 mijë lekë në muaj. Dhe kjo është një zgjidhje prej 52 mijë lekësh më pak në muaj për çdo familje për 4 vjet. Dhe është një zgjidhje jo për të pasurit, është një zgjidhje për të varfërit, për studentët, pensionistët, shtresat në nevojë”, tha Belind Këlliçi. /tvklan.al