Deputeti Enkelejd Alibeaj thotë se është raportuar se lënda plasëse e vendosur para banesës së gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj mund të jetë vendosur nga një person që ka përfituar nga amnistia penale që ka qenë duke vuajtur dënimin në burgun e Reçit. Gjatë fjalës së tij në interpelancë me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, Alibeaj shprehet se nuk mundet që duart që janë liruar nga amnistia penale të godasin sërish.

Enkelejd Alibeaj: Së fundmi, është raportuar se i dyshuar për bombën ndaj gjykatësit të Shkodrës, gjyqtarit Sterkaj, mund të jetë një nga personat që ka përfituar nga amnistia dhe që është liruar nga burgu i Reçit dhe që mund të jetë dënuar në fakt nga ky gjyqtar. Një fakt tjetër është i vërtetë, rasti i skifterit që vodhi një makinë në Korçë pa mbushur 12 orë pas lirimit nga amnistia që ju votuat. Siguria publike është cënuar nga ata protagonistë që janë dënuar më para. Nuk mundet që të njëjtat duar që janë liruar sot, nesër të godasin prapë.

Më tej, gjatë fjalës së tij, Enkelejd Alibeaj është shprehur se me votimin e amnistisë penale dhe të lirimit të personave të dënuar nga GJKKO, qëllimi ka qenë që t’i tregojnë SPAK-ut se “në Kuvend ka forcë të madhe që mund të rrënojë të gjithë veprimtarinë” e tyre.

Enkelejd Alibeaj: Shoh një ndryshim të madh nga 1 muaj më parë. Nuk qenka ashtu siç u betove para një muaji, paske liruar pra. Kjo ishte ajo se çfarë i shitët këtu publikut shqiptar. E votuat ju, ta gëzoni, këtë e keni peshqesh dhe ishte produkt i bashkimit tuaj. Ti vjen këtu dhe bën këtë gjë. Ato emra që lexove ishin emrat e personave të dënuar nga GJKKO që ju është ulur dënimi dhe kanë dalë nga burgu. Sa janë emrat që kanë përfituar ulje? Sa është numri i personave të dënuar nga GJKKO dhe SPAK dhe janë në dënim në shërbim të provës? The që efekti i amnistisë vazhdon dhe kam kërkuar nga SPAK të dhënat dhe do i marr. Gënjeshtra e amnistisë e sapomiratuar që nuk do të shpëtonte të korruptuarit.

Pavarësisht premtimit se asnjë i dënuar nuk do të përfitojë, drita shpërtheu duke nxjerrë një realitet të hidhur. Amnistia e miratuar së fundmi shërbeu si mesazh i fuqishëm ndaj SPAK se kur ndjenja nga kërcënimi i ligjit, bëhet e prekshme, konkurrenca mes partive zbehen. Amnistia, përpjekje për të penguar zbatimin e ligjit. Tek ligji i amnistisë, një kod i heshtjes mafioze duke ju kërkuar aty të mos rrëfehen. Kjo amnisti, mbrojtje politike “durojeni presionin e drejtësisë, pak kohë burg do të bëni dhe me amnisti do ju lëshojmë”. Amnistia kjo vetëm që është në kontrast me zotimet, por tregon mungesë së koherencës mes fjalëve dhe veprimeve të klasës së politikës këtu. Mesazhi më i rëndë shkon për viktimat që kanë vuajtur prej kriminelëve. Si mundet Kuvendi t’i kthejë shpinën atyre?  

E mbajtët 3 muaj amnistinë, si e si për t’i dhënë mesazh SPAK-ut. Arsyeja reale, donit të tregonit forcë, 116 vota, blloku, fronti anti-SPAK. I treguat SPAK-ut dhe atyre që punojnë se këtu ka forcë të madhe që mund të jua rrënojë të gjithë veprimtarinë që bëni pa ju dridhur qerpiku, ky ishte sinjali. SPAK dhe drejtësia e re janë në rrezik. Kjo është këmbanë alarmi për atë që po ndodh për drejtësinë./tvklan.al