Plotësohet lista e ministrave në qeverinë e RMV-së

Funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së dhe ish-anëtarë të kësaj partie, kërkojnë llogari nga kreu partiak Hristijan Mickoski pas humbjes në zgjedhjet e 15 Korrikut.

Ata kërkojnë që Mickoski të dorëhiqet pasi nuk arriti ta formojë Qeverinë dhe të thirret kongresi i jashtëzakonshëm ku do të zgjidhej kryetari dhe udhëheqësia e re partiake.

“Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski ta dëgjojë apelin e anëtarësisë dhe të caktojë Kongres të jashtëzakonshëm për të zgjedhur kreun partiak. Nëse ai këtë nuk e bën, ne si këshill iniciativ do të marrim masa për të caktuar Kongresin e jashtëzakonshëm”.

Nga VMRO-DPMNE-ja këtë iniciativë e kanë quajtur në shërbim të Zaevit duke shtuar se përfaqësuesit e iniciativës ishin thirrur në takim me kryetarin Mickoski, por siç thonë, nuk ishin të gatshëm për takim konstruktiv.

“E kemi bërë publike qëndrimin tonë, nuk kemi çfarë të shtojmë. Prioriteti ynë është lufta kundër sundimit katastrofik të Zaevit që grabit popullin dhe vendin. Gjithçka tjetër është ndihmë për Zoran Zaevin”.

Ndërkohë, kompletohet lista e ministrave të rinj në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Jeton Shaqiri është propozimi i BDI-së për ministër të ri për Shoqëri Informatike dhe Administratë. Afati për dorëzimin e propozimit për zgjedhjen e Qeverisë së re skadon më 2 Shtator.

Pas zgjedhjes së djeshme të Talat Xhaferit për kryetar të Parlamentit, pritet që ditëve në vijim të caktohet seanca për zgjedhjen e qeverisë së re.

Klan Macedonia