Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, kanë përzgjedhur për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, automjetin tip “Mercedes-Benz” me drejtues shtetasin I. F., 40 vjeç dhe pasagjer shtetasin B. H., 49 vjeç, të dy banues në Korçë.

Pas verifikimeve dhe kontrollit të ushtruar në automjet, punonjësit e Policisë Kufitare kanë vijuar me kontrollin fizik ndaj dy shtetasve të lartpërmendur.

Si rezultat i kontrollit fizik, shtetasit B. H., i është gjetur e fshehur në trup një pako e presuar me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë 1028.2 gr, sasi e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Veprimet e mëtejshme procedurale dhe hetimore, u kryen nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë DVP Korçë, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve të sipërpërmendur për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”. /tvklan.al