Komisioni i Ekonomisë miratoi nen për nen buxhetin dhe paketën fiskale, por tensionet mes vetë deputetëve të mazhorancës shoqëruan zgjatjen e mbledhjes deri në orët e vona të pasdites. Mësohet se shkak u bë kërkesa e deputetëve socialistë për të bërë zero tatimin mbi pagat deri në 40 mijë lekë, nga 30 mijë që është sot.

Mbledhja u anulua njëherë paraditen e të martës, e më pas rinisi në orën 17:00, pas shqyrtimit të dekretit të presidentit për kryetar të KLSH-së të zonjës Vitore Tusha.

Por Komisionin nuk e drejtoi më kryetari Erion Braçe, por sekretari Anastas Angjeli, e vetmja zgjidhje e mundshme në mungesë të nënkryetarit, znj.Jorida Tabaku, që i përket si vend opozitës, por që kjo zgjidhje u kontenstua si në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

Deputetët e mbetur nuk kërkuan më ulje të tatimit për pagat e ulëta.

Edhe pse nuk bëri asnjë propozim konkret, kur para dy javësh në një konferencë për shtyp e sfidoi Ministrin e Financave për çështjen se kush do të fitonte me vota në parlament, sa i përket tatimit të pagave, Erion Braçe votoi kundër në 3 nga 7 projektligjet e paketës fiskale.

Komisioni i Ekonomisë votoi po ashtu edhe heqjen e TVSH-së për inputet në bujqësi, përfshirë fara e fidanë, por dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për shërbimin e veterinarisë. Megjithatë Ministri i Financave refuzoi të miratojë një fond shtesë për investimet në këtë sektor.

Gjatë mbledhjes u shtuan fondet për Kontrollin e Lartë të Shtetit, SHISH, Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Diasporës.

Tv Klan