Edhe pse sipas procedurave të Ministrisë së Transporteve, duhen afro 1 muaj për të shpallur zyrtarisht fituesin e ofertës më të leverdishme për dhënien me koncesion për 30 vite të mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit, nga ofertat e paraqitura dukshëm bie në sy oferta më e mirë e paraqitur një ditë më parë.

Është bashkimi i operatorëve  Catalyst, Violap, Salillari, Kastrati, Beetech që kanë paraqitur ofertën më të ulët prej 5 milionë euro  për mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e Autostradës Milot Morinë, pjesë e rrjetit të rrugëve kombëtare që përbën projektin më të madh inxhinierik rrugor.

Oferta tjetër, që sërish ishte një bashkim operatorësh, Grupi “Vendeka-Bilgi” ofroi një shumë 5.6 mln euro.

Pritet që në vlerësimet e saj ekonomike dhe teknike, Ministria e Transporteve t’i japë “ok” ofertës më të ulët që në këtë rast e gëzon Grupi “Catalys and Salillari” me 5 mln euro.

Më pas koncesionari do të mbledhë të ardhura nga taksa e kalimit në këtë rrugë, që sipas Transporteve,  për kalimin e qytetarëve pritet të jetë 5 euro dhe në këmbim të kësaj, do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimin e autostradës Milot-Morinë , të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të rrugës.

Dhënia me koncesion e Rrugës së Kombit ka dështuar herë të tjera, pasi ofertat e paraqitura nga kompanitë kanë qenë më të larta se pritshmëritë e Ministrisë së Transporteve dhe nuk përbënin interes publik.

Duket se me paraqitjen e ofertës më të ulët nga  Grupi  “Catalys and Salillari” do të marrë fund historia e çështjes së mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit, një aksi të rëndësishëm për qytetarët.

Tv Klan