Evidentimi i dy personave me koronavirus në Shqipëri, ka vënë në lëvizje autoritetet që të ndërmarrin masa të menjëhershme.

Pas mbylljes së shkollave dhe pezullimit pjesërisht të udhëtimeve ndërkombëtare, është caktuar edhe vendi që do të shërbejë si karantinë për pacientët e infektuar.

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme, ka vendosur që Kovaleshenca në Durrës të përshtatet për karantinë.

“1. Caktimin e shtëpisë së pushimit të ushtarakëve të FARSH-it, prona nr.231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, si strukturë për shërbimin e karantinës, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19.

2. Caktimin e Ministrisë së Mbrojtjes si autoritet kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit, si më poshtë vijon:

a) rikonstruksion të objektit prona nr.231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, për përshtatje si infrastrukturë karantine;
b) blerje mallrash/pajisjesh për përshtatjen e dhomave për nevoja të karantinës;
c) sigurimin e ushqimit të gatuar sipas nevojave;
ç) sigurimin e shërbimit të lavanderisë”,
thuhet në vendimin e Qeverisë.

Këshilli i Ministrave ka akorduar edhe fond shtesë prej 248 milionë Lekësh të vjetra që do të përdoren për blerjen e mallrave dhe shpenzime të tjera. Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit. /tvklan.al