Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha të hënën se i ka kërkuar përmes një letre javën e kaluar homologes së vet serbe transferimin e shtetasve të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgime në Serbi.

Katër shtetas të Kosovës, aktualisht, ndodhen në paraburgim në Serbi nën akuzat për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa.

“Siç e dini, pretendimet e këtilla dhe çdo veprim pasues ligjor lidhet ekskluzivisht me juridiksionin e vendit ku këto vepra të pretenduara kanë ndodhur. Në këtë drejtim, Nezhir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa, duhet t’iu kthehen Republikës së Kosovës për t’u gjykuar drejtë, në mënyrë të paanshme, nga autoriteti që është pajisur me juridiksionin e njohur nga e drejta ndërkombëtare publike”, thuhet në letrën e Haxhiut drejtuar ministres serbe të Drejtësisë, Maja Popoviç, më 28 qershor 2024.

Por, në Strategjinë Kombëtare të Serbisë për ndjekje të krimeve të luftës, 2021-2026, shteti serb pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Në të përmendet se Zyra e Prokurorit për Krime Lufte ka krijuar grupe të përpunuesve të të dhënave sipas parimit territorial, “pra duke ndjekur lidhjet e rasteve me vendin ku është kryer vepra penale – në Bosnje e Hercegovinë, në Republikën e Kroacisë, në Kosovë”.

Radio Evropa e Lirë i dërgoi pyetje Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë në lidhje me letrën e Haxhiut, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare.

Më herët, autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për akuzat për krime lufte. Ato e kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Si u arrestuan katër shtetasit kosovarë në fjalë?

Nezir Mehmetaj u arrestua më 2020 në Merdare – njërën prej pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Ndaj tij nuk është marrë ende ndonjë vendim, pavarësisht dhjetëra seancave të zhvilluara.

Vëllai i tij, Agron Mehmetaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka rrezikuar asnjëherë që ta vizitojë atë në Serbi, pasi nuk ka besim tek autoritetet atje.

Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u ndalua, po ashtu, në Merdare, në janarin e vitit 2024. Avokati i tij, Xhevdet Smakiçi, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se ndalimi i Dakajt është kryer mbi baza politike dhe se ekzistojnë gabime faktike.

Sadik Duraku u ndalua më 17 prill të këtij viti, në një pikë kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë. Atij i është vazhduar së voni masa e paraburgimit edhe për 30 ditë. Vëllai i tij, Avdyl Duraku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se akuzat ndaj Sadik Durakut janë të fabrikuara.

Tefik Mustafa është më i fundit në këtë listë. Ai u arrestua më 1 qershor në Merdare. I biri i tij, Qamil Mustafa, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se akuzat ndaj babait të tij janë të pabaza.

Familjarët e të ndaluarve – përveç Dakajt – deklarojnë vazhdimisht se të paraburgosurit në Serbi nuk kanë qenë fare në Kosovë në kohën e luftës. Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuzat për krime lufte.

Puna e Prokurorisë serbe është kritikuar në të kaluarën. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, mungesa e transparencës dhe mungesa e informacionit – që duhet të jetë i qasshëm publikisht – e kanë përjashtuar publikun prej këtyre proceseve.

Në raportin e fundit të kësaj organizate është përmendur edhe mungesa e dëshmitarëve. Sipas tij, Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë asnjë dëshmitar kyç për më shumë se dy vjet në rastet për krime lufte.

Në Raportin e Progresit për Serbinë, për vitin 2023, Komisioni Evropian ka përmendur që “ritmi i gjykimit të krimeve të luftës në Serbi është përkeqësuar në vitet e fundit” dhe se duhet treguar përkushtim të vërtetë për zgjidhjen e rasteve./REL