Kosovë, protesta në Prishtinë – (27 Gusht 1999)



Kosovë, protesta në Prishtinë – (27 Gusht 1999)

10:13 27/08/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Prishtina sot ka përjetuar ndoshta mitingun më të madh paqësor për lirimin e të burgosurve që mbahen në burgjet serbe. Rreth 50 mijë qytetar kanë protestuar sot në Prishtinë duke mbajtur në duar fotografitë e mbi shtatë mijë shqiptarëve që dergjen në burgjet e Serbisë. Mes tyre ishte dhe Bernard Kushner administrator i OKB-së, i cili ka deklaruar se mbajtja e shqiptarëve në burgje është një krim tjetër i serbisë pas përfundimit të luftës. Gjithashtu ai ka premtuar angazhimin e tij të plotë në lirimin e të burgosurve.

Në këtë protest kanë marrë pjesë anëtar të qeverisë së përkohshme të Kosovës, në krye me kryeministrin Hashim Thaçi. Ka qenë edhe Adem Demaçi i cili ka vuajtur mbi 28 vjet në burgjet e Serbisë. Sipas organizatorëve, shoqatës së të burgosurve politikë, këshillit për të drejtat e njeriut etj, në protest merrnin pjesë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike.

Autoritetet e Beogradit dhe Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar kanë dorëzuar një listë vetëm me më pak se dy mijë shqiptar të burgosur, por këto ditë janë zbuluar dhe emrat e 500 shqiptarëve të tjerë që mbahen në fshehtësi në burgjet e Serbisë. Në komunën e Istogut është zbuluar një varr masiv me mëse 100 të burgosur shqiptar të ekzekutuar dhe masakruar nga forcat serbe./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori






Të ngjashme