Dimitar Kovaçevski ka mbajtur një fjalim para Këshillit për Siguri të Kombeve të Bashkuara, duke u bërë Kryeministri i parë nga Maqedonia e Veriut që i është drejtuar këtij Këshilli. Tema ka qenë axhenda e paqes e propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh, njofton KlanM.

Në New York, para Këshillit për Siguri të OKB-së, Kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se Maqedonia e Veriut është bërë shembull për zgjidhjen e çështjeve të hapura brenda dhe me fqinjët dhe në 30 vitet e kaluara ka marrë shumë vendime të vështira, që kanë rezultuar që vendi të bëhet anëtare e NATO-s dhe të nisin negociatat me BE-në.

“Nga vendi i misioneve paqësore të organizatave ndërkombëtare jemi bërë faktor stabiliteti dhe mikpritës të negociatave paqësore të vendeve tjera. Ka edhe shumë punë para nesh për të realizuar qëllimet mijë vjeçare për zhvillim të qëndrueshëm”, tha Dimitar Kovaçevski.

Pas pjesëmarrjes në debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit për Siguri, Kryeministri dha edhe një deklaratë në OKB.

“Ne jemi vendi ku janë deponuar marrëveshjet e Procesit të Berlinit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendi që kryeson me OSBE-në në vitin më të vështirë në kontinentin evropian pas Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi Kovaçevski.

Si pjesë e programit për shënimin e 30-vjetorit të anëtarësimit të RMV-së në OKB, Kryeministri Dimitar Kovaçevski i shoqëruar nga Zv/Kryeministrja Slavica Grkovska dhe Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, qëndrojnë për vizitë zyrtare në SHBA, njofton KlanM.

Në Washington, parashihen takime me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, përfaqësuesin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, Zv/Këshilltarin për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Xhonatan Fajner, Këshilltarin e Sekretarit të Shtetit, Derek Shole, me senatorë dhe kongresmenë si dhe anëtarë të bordit të Këshillit Atlantik.

Klan Macedonia