Mark Rutte synoi largimin e një ligjvënësi kritik me qeverinë      

Kryeministri holandez Mark Rutte ‘mbijetoi’ me një diferencë të ngushtë mocionit të mosbesimit në parlament të thirrur nga opozita, pas akuzave se gënjeu gjatë bisedimeve për formimin e koalicionit.

“Unë do të vazhdoj punën si kryeministër, do të punoj jashtëzakonisht shumë për të rifituar besimin,” u tha Rutte deputetëve gjatë debatit.

Partitë e opozitës paraqitën mocionin kundër kryeministrit dhe e akuzuan atë si gënjeshtër në publik për ato që kishte diskutuar privatisht gjatë bisedimeve për të formuar kabinetin.

Bisedimet për qeverinë e re u ndërprenë papritur në 25 Mars kur një nga negociatoret kryesore zbuloi padashur një dokument sekret ndërsa nxitoi të dilte nga parlamenti pasi mësoi se ishte infektuar me COVID-19.

Dokumenti zbuloi se negociatorët po diskutonin një pozicion “diku tjetër” për deputetin popullor Pieter Omtzigt, një kritik i shquar i kabinetit të mëparshëm të Rutte-s.

Rutte synonte largimin e deputetit kritik nga parlamenti duke i dhënë një post diplomatik jashtë vendit. Më 25 Mars Rutte e mohoi para gazetarëve një gjë të tillë.

Kjo është sfida më e madhe politike e Rutte brenda një dekade, ndonëse fitoi qartë zgjedhjet parlamentare të 17 Marsit, që u panë si një referendum mbi menaxhimin prej tij të krizës pandemike të koronavirusit.

Konservatori 54-vjeçar i cili e qeveris Holandën prej mbi 10 vjetësh, tha gjatë debatit të mocionit se shpresonte të vazhdonte drejtimin e vendit, ndërsa numëroi arritjet e shënuara nën qeverisjen e tij.

Klan News