Kryeministri Rama: Do të ndalojmë frekuentimin e Parkut të Liqenit në Tiranë

Kryeministri Rama: Do të ndalojmë frekuentimin e Parkut të Liqenit në Tiranë

13:21 14/03/2020

Parku i Liqenit në Tiranë do të mbyllet si pasojë e frekuentimit në masë nga qytetarët. Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili në një video-deklaratë nga shtëpia e tij në Surrel, u shpreh se ky vendim merret në kuadër të masave shtrënguese për të frenuar përhapjen e koronaviurusit.

“Mund t’i mbajmë dritaret hapur gjatë gjithë ditës për ajrosjen e shtëpisë dhe të fikim ajrin e kondicionuar, që mos e harroni është një problem më vete në këtë luftë. Por kjo s’do të thotë të dalim xhiro familjarisht siç ka ndodhur dje dhe edhe sot nga Liqeni i Tiranës, ku vërtetë nuk kishim shumë njerëz si zakonisht në një mot të tillë, por mjaftueshëm për të cënuar rregullat e mbrojtjes individuale. Apo për shembull buzë Liqenit të Shkodrës, ku mbrëmë ishte sikur jemi në një kohë pushimesh dhe jo në një kohë lufte. Nuk kemi kohë për të vazhduar me sensibilizime sepse çdo orë është kritike për forcimin e vijave të mbrojtjes individuale dhe kolektive. Prandaj do të ndalojmë menjëherë frekuentimet në zonën e Parkut të Liqenit në Tiranë dhe në të gjitha zonat kreative në çdo qytet”.

Kryeministri Edi Rama foli edhe për numrin e të infektuarve nga koronavirusi në vendin tonë, që ka shkuar në 38 persona. Kreu i qeverisë, duke iu referuar ekspertëve të shëndetësisë, tha se në dy javët e ardhshme pritet të ketë rritje të numrit të të prekurve nga COVID-19, por sipas tij, kjo është normale për shkak të kurbës së virusit.

Sot kemi 38 persona të identifikuar pozitivë, prej të cilëve 12 janë të shtruar në spital, 2 prej tyre janë në reanimacion dhe një 65 vjeç mbahet me frymëmarrje të drejtuar nga aparatura. Më e keqja s’ka ardhur akoma. As që nuk dua t’ju fus frikën që të zbatoni rregullat, por kam detyrë t’ju informoj. Të ndaj me ju çdo të vërtetë që ekspertët ndajnë me mua në kohë reale, por ama nuk ju them asgjë të pa aprovuar paraprakisht prej tyre. Përhapja e koronës është e pashmangshme”.

/ tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi