Albert Cara dhe Marlin Shkodra, dy të mbijetuarit nga tërmeti i 26 Nëntorit u rikthyen në Shqipëri pas 3 muajsh që pas tragjedisë që goditi vendin tonë. Ata ndodheshin në Itali për trajtim të specializuar në një prej spitaleve më të mira atje. Për t’i pritur në aeroportin e Rinasit ishte ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Kontributi juaj dhe i mjekëve italianë ka qenë perfekt. Kam respekt në radhë të parë për ju që mundësuat kalimin tonë në Itali, por edhe për këta që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Kemi rilindur. Ky ka rilindur 30 vjeç, unë 59 vjeç. Kemi lindur për së dyti”, tha Albert Cara.

Edhe ministrja Manastirliu u shprehu mirënjohjen ekspertëve italianë për kujdesin e treguar ndaj dy të mbijetuarve nga tërmeti.

 “Për ne është gëzim shumë i madh kthimi në shtëpi i Marlinit dhe Albertit”, tha ajo.

54-vjeçari Albert Cara humbi gruan dhe dy djemtë e tij nga tërmeti i 26 Nëntorit, ndërsa vetë mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua për trajtim të specializuar në Bari të Italisë.

Ndërsa 30-vjeçari Marlin Shkodra nga Durrësi, u  transportua në gjendje kome në Itali. Dy të mbijetuarit, tashmë janë në gjendje të mirë shëndetësore./tvklan.al