Rubrika “Ka një Mesazh për Ty” në emisionin E Diela Shqiptare në Tv Klan këtë të dielë ka patur një të ftuar special. Biznesmeni dhe Presidenti i grupit “Balfin” Samir Mane ishte i pranishëm në studio për një mision fisnik.

Bizmesmeni ishte ulur nga njëra anë e murit ndarës, teksa ishte në pritje të rastit.

Ardit Gjebrea: Të falenderoj shumë që erdhe me besim, pa pyetur, në programin ‘Ka Një Mesazh Për Ty’ për atë që do të ndodh sot në studio. E ndjek ndonjëherë?

Samir Mane: E ndjek shumë herë, sa herë që kam mundësi e ndjek dhe jam shumë i gëzuar që sot jam këtu natyrisht surprizën nuk e di se çfarë do jetë, por jam i sigurtë që do jetë një gjë që prania ime është e nevojshme.

Ardit Gjebrea: Nëse dikush do ishte në anën tjetër të murit, kush mund të ishte?

Samir Mane: S’e kam idenë fare. Nuk ma merrte mendja që do isha pjesë e këtij formati, por ja që jam.

Ardit Gjebrea: Nëse do ishte një njeri i dashur nga familja kë do doje të kishe?

Samir Mane: Padyshim Evën. (bashkëshorten)

Ardit Gjebrea: Eva është tip që del në televizor apo jo?

Samir Mane: Jo, nuk del shumë, por më ndihmon shumë në sipërmarrjet e mia sidomos këto që kanë të bëjnë me fondacionin ‘MANE’ që sapo e kemi krijuar.

Ardit Gjebrea: Fantastike, në fakt nuk është Eva. Nuk kanë ardhur akoma, janë dy vajza që duan të japin një mesazh nënës së tyre.

Nga ana tjetër e murit vijnë dy motra, Ilda dhe Gentiana, të cilat nuk kanë dijeni për prezencën në studio të biznesmenit Samir Mane, ndërkohë që ato tregojnë se kanë ardhur për të surprizuar nënën e tyre.

Motra e madhe Ilda Marku 29 vjeçe, e martuar dhe ka 2 fëmijë, ndërsa Gentiana 26 vjeçe, ka përfunduar studimet për administrim biznesi. Në studio ato tregojnë se kanë ardhur për të surprizuar nënën e tyre, por nuk e dinë që historinë e tyre po e dëgjon edhe biznesmeni, z.Samir Mane.

Ilda dhe Gentiana Marku kanë një histori të dhimbshme. Kur kanë qenë ende të vogla, babai i tyre oficer policie u vra brenda Komisaritit të Policisë së Lezhës. Nëna e tyre i rriti e vetme plot sakrifica.

Gentiana Marku: Arsyeja pse kemi ardhur këtu është për të falenderuar, një surprizë një personi shumë të rëndësishëm për ne, asaj që na ka dhënë jetën, asaj që është pika jonë e dobët, por edhe e forta. Është mami jonë, ka pasur një jetë shumë të vështirë, por arsyeja se pse unë jam sot këtu është sepse ia ka dalë me dinjitet të na rrisë. Nëna me babin janë njohur me shkuesi, janë martuar në 6 Qershor 1993, këtë muaj do kishin bërë 30 vite martesë bashkë.

Ardit Gjebrea: Pse thua do kishin bërë?

Gentiana Marku: Sepse fatkeqësisht babi nuk jeton më.

Ardit Gjebrea: Njohja e tyre ka qenë me shkuesi, por ka patur një dashuri të madhe mes tyre.

Gentiana Marku: Ka pasur një dashuri shumë të madhe mes tyre, kanë jetuar vetëm 5 vite bashkë. Mami i përshkruan si 5 vitet më të mira të jetës së saj. Pas 1 viti martesë ka lindur motra, pas 1 viti të lindjes së motrës na lindi edhe 1 motër tjetër. Fatkeqësisht ajo vdiq 6 muajshe, ka qenë një dhimbje shumë e madhe. E kanë përballuar shumë vështirë. Pastaj në vitin 1997 kam lindur unë. Babi ka punuar polic në qytetin e Pukës, e kanë rritur në grada si funksionon në Policinë e Shtetit dhe e kanë zhvendosur në policinë e Lezhës. Pas 1 viti, unë nuk isha ende 1 vjeçe, babi është nisur në punë normalisht si çdo ditë tjetër dhe është vrarë brenda komisariatit të Lezhës.

Ardit Gjebrea: Thjesht për shkak të detyrës?

Gentiana Marku: Po për shkak të detyrës në moshën 29 vjeçare, ka qenë një tragjedi shumë e madhe për familjen tonë, për të gjithë, por sidomos për mamin.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishte mami?

Gentiana Marku: 25 vjeçe.

Ardit Gjebrea: Me 2 vajza.

Gentiana Marku: Me 2 vajza, vendosi ta mbyllë jetën vetëm me ne të dyja. Edhe pse në atë kohë i thoshin po si ka mundësi ta kishe pasur një djalë, e shikojnë këtë pjesën më shumë si siguri. Për jetën më vonë, pleqërinë. Mami thotë gjithmonë që zemrën e kam pasur gjithmonë plot me ju. Ditën që ka vdekur babi, në mëngjes më ka treguar mami që kur është nisur për në punë është kthyer edhe një herë dhe e ka pyetur çfarë fustani ti blej Gentës? (preket dhe qan në studio) Më falni, sepse pas 2 ditësh, ai ka vdekur në datën 8 Shkurt, në 10 Shkurt unë kisha ditëlindjen.

Ardit Gjebrea: Ti për shumë vite nuk e ke festuar ditëlindjen, sepse në ditën tënde të lindjes ju keni përcjellë babin për në banesën e fundit?

Gentiana Marku: Po, mundësisht është diçka që unë tani e përjetoj shumë keq. Nuk e kam kuptuar në atë kohë se çfarë pyetje i kam bërë mamit. E shikoja që i vinin shoqet motrës për ditëlindje e shikoja duke festuar, në atë kohë kam qenë diku 4-5 vjeçe edhe i them mamit sa mirë që i vinë Ildës (motrës) shoqet e feston. Unë mendoja që kur të shkoj në shkollë do kem ditëlindje, se nuk e kuptoja ngaqë nuk e kisha festuar. I them edhe unë kur të shkoj në shkollë do më vijnë shoqet, atëherë do e festoj dhe unë ditëlindjen. Ajo që prej atij momenti ma ka festuar çdo vit ditëlindjen, gjithmonë, e ka mbyt dhimbjen e vetë e ka mbajtur përbrenda më ka bërë mua dhe motrës të kalojmë një fëmijëri të mirë, nuk na ka transmetuar dhimbjen që ajo ka pas, sakrificat që ka bërë.

/tvklan.al