Autoritetet janë duke kryer punët e shtëpisë sa i përket planit për hapjen e Urës mbi Ibër për qarkullimin e automjete në Mitrovicë, ka thënë kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Ai i ka informuar ministrat se për hapjes së Urës ka diskutuar në takimet që ka pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vizitat që janë bërë në Kosovë javëve të fundit.

“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes. E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian”.

Kurti po ashtu ka thënë se në vizitën në SHBA ditë më parë ka bërë thirrje që të shtohet trysnia mbi Serbinë për ta dorëzuar tek autoritetet e Kosovës, Milan Radoiçiçin, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 Shtatorit në Banjskë.

Kohët e fundit janë shtuar edhe deklaratat publike të faktorit ndërkombëtar të cilët po i kërkojnë Serbisë gjetjen e përgjegjësisë së plotë për aktet e dhunshme në maj dhe shtator të vitit të kaluar në veri të Kosovës.

Tv Klan