Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, ndodhet në Kosovë për një vizitë zyrtare. Vëngu ka bërë me dije në rrjetet sociale se është takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Ministri thotë se në bisedën mes të dyve e vendosën theksin në forcimin e bashkëpunimit në rrafshin e mbrojtjes, stabilitetin rajonal dhe ndërveprimin e domosdoshëm me aleatët.

“Sot në Kosovë për të folur për ato ura që na lidhin, e të tjera që duhet të shtojmë në rrugëtimin tonë të përbashkët. Në takimin tejet të hapur e miqësor me Kryeministrin Albin Kurti vendosëm theksin në forcimin e bashkëpunimit në rrafshin e mbrojtjes, stabilitetin rajonal dhe ndërveprimin e domosdoshëm me aleatët tanë për një konsolidim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Investimet e përbashkëta në mjete dhe kapital njerëzor, janë një kontribut në sigurinë kolektive”, njoftoi Vëngu.

Ministri Vengu po ashtu zhvilloi edhe një takimi me homologun e tij Ejup Maqendonci, ku vlerësoi pa masë bashkëpunimin e shkëlqyer dhe vëllazëror midis dy vendeve dhe theksoi se bashkëpunimi me Kosovën konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike.
Ministri Vengu rikonfirmoi se, Kosova vijon të jetë prioritet absolut i Shqipërisë dhe si rrjedhoje prioritet parësor i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka qenë gjithmonë në krahë dhe në mbështetje të zhvillimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Sa i takon anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtare, ministri Vengu siguroi se Shqipëria do të jetë një avokate e fortë e saj.

“Viti 2024, rezulton të jetë një vit shumë impenjativ për Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, pasi këtë vit kemi kryesimin e disa iniciativave rajonale dhe shumë aktivitete në kuadër të tyre do të drejtohen dhe organizohen nga ana jonë (A5). Unë siguroj kolegun Maqendonci, se kjo mundësi do shfrytëzohet maksimalisht jo vetëm për të qenë një avokate e fortë e Kosovës, por për të shtuar të gjitha përpjekjet për një anëtarësim të plotë të saj në këto iniciativa.”

Gjatë takimit u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushat e çminimit të brezit kufitar ndërmjet dy vendeve si dhe dhënien e asistencës së nevojshme për konsolidimin e mëtejshëm të Qendrës Rajonale për Emergjencat Civile.

Situata e sigurisë dhe mbrojtjes në rajonin e Ballkanit Perëndimor me fokus kryesor, situatën aktuale në Kosovë ishte një tjetër pikë e rëndësishme e takimit.

“Vlerësojmë se dialogu Kosovë – Serbi, në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA dhe BE duhet të ketë si rezultat përfundimtar një marrëveshje të detyrueshme ligjore, që mundëson njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës”, tha ministri Vengu, i cili vlerësoi z. Macedonci për mikpritjen.

/tvklan.al