Mediat shkruajnë se 37-vjeçarja bënte dy punë për të mbajtur dy vajzat

Vrasja e çiftit shqiptar në Itali është në qendër të vëmendjes nga mediat italiane të cilat kanë zbuluar detaje të reja.Vera Myrtaj kishte ardhur në shtetin fqinj nga Greqia, rreth tetë vjet më parë  me sa duket me këshillën  e dy vëllezërve të saj  që kishin kohë që punonin në Itali.

Menjëherë pas kësaj, 37-vjeçares  iu bashkua edhe ish-bashkëshorti Viron Karabollaj i cili kishte kërkuar të ribashkohej me viktimën.

Në vitin 2016, të dy ishin zhvendosur në Spinea, ku kishin banuar në  një shtëpi të madhe. Një shtëpi në të cilën ndër vite ishin investuar mijëra Euro për ta përshtatur me nevojat e vajzës së tyre më të vogël 13-vjeç  e cila është me aftësi të kufizuara.

Por sipas disa fqinjëve, ky ribashkim nuk funksioni dhe në çift  dolën problemet e para, të cilat u bënë gjithnjë e më serioze. Për shkak të dhunës fizike të ushtruar ndaj saj, 37-vjeçarja vendosi t’i jepte fund marrëdhënies së saj dhe të fillonte një jetë të re.

Për t’u krijuar vajzave të saj një jetë më të mirë ajo kishte vendosur të punonte edhe më shumë së më parë nëpër hotele të ndryshme në Venecia. Por Covid-19 i prishi planet duke bërë që ajo të mendonte një punë tjetër.

Kështu ajo vendosi të bëhej estetiste në shtëpi dhe kishte krijuar një rreth të madh klientësh. Një vit e gjysmë më parë ajo kishte nisur një lidhje me Flonino Merkurin , 23 vjeç. Me të ajo kishte gjetur më në fund qetësinë dhe së shpejti do të fillonin një jetë së bashku në shtëpinë që 37-vjeçarja kishte blerë vite më parë së bashku me ish-bashkëshortin për vajzat e saj.

Dhe pikërisht kjo e fundit, është bërë edhe motivi i krimit të kryer nga Viron Karabollaj i cili vendosi ti merrte jetën edhe vetes.

Klan News