Laçi thellon krizën e Teutës




Laçi thellon krizën e Teutës

19:40 22/01/2022

Kurbinasit i falen dopietës së Deliu e Guindo, ngec Partizani

Laçi i Mirel Josës nuk njeh rival në Superligën shqiptare. Kurbinasit mposhtën kampionët në fuqi të vendit, Teutën me shifrat 4-2, fitore që i mban në garë të plotë për kreun e Superiores. Edhe pse në një transfertë të vështirë si ajo e Durrësit, bardhezinjtë ishin superiorë ndaj kundërshtarit, madje duke përmbysur edhe rezultatin.

Albano Aleksi kaloi në avantazh Teutën, që gjithsesi nuk arriti të administronte lojën. Deliu në fundin e pjesës së parë dhe të gjithë lojës shënoi gola me tepër peshë, ndërsa protagonist ishte edhe sulmuesi afrikan, Guindo, autor i një dopiete. Me golin u takua dhe sulmuesi i rikthyer së fundmi në Durrës, Rubin Hebaj, por që nuk i mjaftoi për t’i dhënë pikë skuadrës së tij.

Pas 17 javësh, Laçi gjendet i dyti me tre pikë më pak se Tirana kryesuese, ndërsa Teuta regjistroi humbjen e katërt radhazi, duke qëndruar e gjashta me 18 pikë. Partizani nuk arrin të ruajë ritmin e javës së fundit, pasi u ndal në barazim 0-0 nga Kastrioti. Për të kuqtë debutoi afrimi i Janarit, Sherif Kallaku. Kryeqytetasit mbesin në vendin e pestë me 22 pikë, ndërsa krutanët të fundit me 12 pikë.

Klan News











Të ngjashme