Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka folur gjatë një konference që ka zhvilluar në kryeqytetin e Indisë në lidhje me luftën në Ukrainë. Ai tha se ende nuk është paraqitur asnjë “plan i miratuar” pas bisedimeve të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë këtë javë, por negociatat “duhet të vazhdojnë”.

Ministri tha se kishte “lëvizje” në termat e njohjes nga Ukraina se nuk do të ishin pjesë e NATO-s ose BE-së dhe se nuk mund të kenë një status bërthamor.

Po ashtu, Lavrov pretendoi se “kishte më shumë kuptim nga ukrainasit” rreth pozitës së Rusisë në Donbas dhe Krimea.

Pas bisedimeve të paqes në Stamboll, Lavrov tha se zyrtarët ukrainas kanë vendosur marrëveshjen e tyre në letër dhe se Kremlini po përgatitet për përgjigje.

Lavrov tha po ashtu se Rusia kërkon që transaksionet për gazin të bëhen në rubla për shkak të partnerëve jo shumë të besueshëm Perëndimorë.

“Nuk kam asnjë dyshim se shumica e vendeve në Tokë e kuptojnë atë që po ndodh dhe e kuptojnë mënyrën e papranueshme që është demonstruar nga partnerët tanë Perëndimorë jo shumë të besueshëm”, tha Lavrov.

Lavrov ka përsëritur se ajo që po ndodh në Ukrainë nuk është luftë, por operacion special ushtarak.

“Është një operacion special i cili po zhvillohet me vëmendje maksimale për të mos shkaktuar asnjë dëmtim të infrastrukturës civile. Po shënjestrohet infrastruktura ushtarake dhe qëllimi është për t’i hequr Kievit mundësinë për ndonjë kërcënim ndaj Rusisë”, tha ai.

Ministri i Jashtëm rus ndodhet në Indi ku po takohet me udhëheqësit e vendit, një përpjekje kjo e Moskës për të mbajtur fuqinë aziatike në krahun e saj./tvklan.al