Gazetarja Klodiana Lala tha se SPAK ka nën hetim disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë që shkojnë deri në nivel ministrash e deputetësh në lidhje me çështjen e inceneratorëve.

Pasi u pyet nëse do të ketë arrestime të tjera në këtë nivel zyrtarësh, gazetarja tha se mund të ketë pasi janë edhe dy inceneratorë të tjerë që janë duke u hetuar.

Megjithatë, sa i përket arrestimit të Lefter Kokës, Lala tha se ai nuk është “peshku i madh” dhe se SPAK duhet t’i çojë më tej goditjet. “Është maja e ajsbergut”, tha ndër të tjera gazetarja.

Klodiana Lala: SPAK ka nën hetim edhe disa zyrtarë dhe ish- zyrtarë të tjerë të cilët në fakt nuk mund të aludoj me emrat, por sipas të dhënave të SPAK janë në prag të arrestimit.

Blendi Fevziu: Zyrtarë çfarë do të thotë? Çfarë niveli?

Klodiana Lala: Të niveleve të larta!

Blendi Fevziu: Çfarë do të thotë, ministra e lart, apo ministra e poshtë?

Klodiana Lala: Unë besoj që janë në nivelin e ministrave dhe deputetëve, në këtë nivel qëndrojnë.

Blendi Fevziu: Pra pritet që mund të ketë edhe arrestime të tjera në nivel ministrash dhe deputetësh?

Klodiana Lala: Patjetër se janë edhe dy inceneratorë të tjerë që nuk janë prekur dhe janë duke u hetuar. Duhet të kemi parasysh se po të shikosh vartësit e Kokës janë sot deputetë të Kuvendit. Në këtë histori nuk është peshku i madh Lefter Koka. Padyshim ai është një nga njerëzit kyç për arsyen se si autoritet kontraktor, sepse ka qenë ministër i Mjedisit dhe ishte ministri që firmoste kontratat, por shumat e madhe e parave, lidhjet e biznesmenëve me njerëz më të fuqishëm shumë më lart se Zoti Koka, mënyra si janë bërë pagesat e me radhë, zoti Koka është pjesë e një aferë shumë të madhe që mendoj është shumë përtej tij. Kjo është një goditje e SPAK që duhet përgëzuar, por nëse mbetet në këtë nivel dhe nuk shkon më tej, është një goditje gjysmake e ndikuar politikisht dhe me shumë pikëpyetje nga mbrapa. Pra është maja e ajsbergut./tvklan.al