Askush nuk dëshiron më një gjendje të jashtëzakonshme, por të gjithë pajtohen që nevojitet ligj i veçantë për gjendje lufte dhe gjendje të jashtëzakonshme. Në konferencën për gjendje të jashtëzakonshme, pjesmarrësit u pajtuan për plotësim të zbraztirave juridike , ndërsa ministria e drejtësisë paralajmëroi përgatitjen e draft versionit të këtij ligji.

Pandemia na mësoi se shteti në tre dekadat e kaluara nuk është përgatitur për një krizë të kësaj forme dhe ajo që më së paku mund të bëjmë është që një krizë të ardhshme eventuale ta presim më të përgatitur institucionalisht dhe me leksione të mësuara nga përvoja e tmerrshme me pandeminë. Kështu deklaroi presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, duke nënvizuar se nevojitet një ligj i veçantë për gjendje të jashtëzakonshme ku do të rregullohen të gjitha zbraztirat ligjore për organizim të sistemit në rrethana të jashtëzakonshme.

“Është e qartë se na nevojitet ligj i veçantë për gjendje të jashtëzakonshme ku do të jenë të rregulluara ligjërisht të gjitha zbraztirat me të cilat u ballafaquam kur duhej ta organizonim sistemin në rrethana të jashtëzakonshme, vetëm mbi baza të disa disa dispozita të përgjithshme të kushtetutës. Ligji i ardhshëm duhet të jetë produkt i dialogut mes ekspertëve por edhe në opinionin e përgjithshëm dhe të sillet mbi baza të konsensusit më të gjërë të mundshëm politik.“

Sipas ministrit të Drejtësisë Bojan Mariçiç ka disa çështje që duhet të rregullohen në ligjin për gjendje të jashtëzakonshme. Në ministrinë e Drejtësisë tashmë është formuar një grup pune, me ekspertë të bashkësisë akademike, që në periudhën e ardhshme do të punojnë për përgatitjen e një draft versioni të ligjit për gjendje të luftës dhe gjendje të jashtëzakonshme. Mariçiç tha se ministria paraprakisht ka bërë analizë nga përvoja e institucioneve gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme dhe të 250 dekreteve me fuqi ligjore të cilat janë sjellur gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

“Mospasja e një ligji të veçantë për gjendje lufte dhe të jashtëzakonshme është mungesë juridike dhe zbraztirë ligjore që duhet të plotësohet. Ligji duhet të jetë garanci e vlerave demokratike. çështjet më të rëndësishme që duhet të rregullohen në ligj janë mënyra e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, roli i Kuvendit, kohëzgjatja dhe e fekti juridik i dekreteve, si dhe karakteri i dekreteve, gjegjësisht precizimi se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të jetë lëndë e dekreteve ligjore .”

Në konferencën për gjendje të jashtëzakonshme të organizuar nga qendra presidenciale për arsimim politik morën pjesë shumë ekspertë të kësaj fushe. Kujtojmë se vitin e kaluar për shkak të pandemisë me virusin kovid 19, për herë të parë në histroinë e vendit tonë u shpall gjendja e jashtëzakonshme në të gjithë territorin e shtetit.

Klan Macedonia