Grupi i Nations League më i lehtë pa Rusinë

Në konferencën për shtyp të ditës në grumbullimin e kombëtares Endri Çekiçi, beson se kuqezinjtë do ta kenë më të lehtë tashmë që Rusia nuk do të marrë pjesë për shkak të sanksioneve pas luftës ndaj Ukrainës.

“Përjashtimi i Rusisë na e ka bërë më të lehtë grupin. Kemi dy kundërshtar që jemi në të njëjtin nivel. Kemi lojtarë të mirë të rinj që po bëjnë ndeshje të mira me klubet e tyre dhe kemi besim. Nëse ne dalim të parët në grup na jep edhe një mundësi që na kualifikon për në Europianin e radhës. Vendi i parë duhet të jetë qëllimi ynë kryesor”.

I rikthyer në kombëtare, Taulant Seferi kërkon minuta për të justifikuar fanellën dhe fituar besimin e trajnerit Reja

“Konkurrenca është e fortë, por unë kam ardhur këtu për të bërë maksimumin, trajneri vendos. Do të më pëlqente të fitoja besimin e trajnerit, nëse ai më jep minuta do të jem shumë i lumtur. Sulmuesit që ka marrë trajneri janë më të mirët. Me çdo lojtar që do kem në ndeshje do të ndihem mirë sepse jemi të gjithë profesionistë”.

Këtë të shtunë kombëtarja do të stërvitet e plotë në përgatitje të sfidës së parë, kundër Islandës që do të mbahet më 6 qershor në Reykjavík.

Tv Klan