Dairo Antonio Usuga, i njohur me emrin Otoniel, trafikanti më i kërkuar i drogës që u arrestua në Kolumbi, do të ekstradohet në SHBA.

Otoniel u kap gjatë një super operacioni mes forcave të ushtrisë, atyre ajrore dhe policisë.

Dairo Antonio Usuga ka drejtuar organizatën më të madhe kriminale në Kolumbi dhe për vite me radhë ka qenë në listën e më të kërkuarve të DEA-s amerikane.

Operacioni për kapjen e tij është konsideruar njësoj i rëndësishëm si rrëzimi i Pablo Escobar.

Zyrtarët amerikanë kishin vendosur një shpërblim prej 5 milionë Dollarësh për çdo informacion që çonte në arrestimin e tij.

Otoniel akuzohet për trafikun e 73 tonëve drogë nga Kolumbia në SHBA gjatë periudhës 2003-2014.

Tani Otoniel po mbahet në një bazë ushtarake në Bogota përpara se të ekstradohet në SHBA, sipas gazetës vendase El Nuevo Siglo.

Ndërsa Presidenti kolumbian e përshëndeti arrestimin e Otoniel duke e konsideruar goditjen më të madhe të trafikut të drogës të këtij shekulli.

Fatkeqësisht 1 polic mbeti i vrarë gjatë operacionit ku ishin përfshirë 500 ushtarë dhe 22 helikopterë. /tvklan.al