Presidenti francez Macron para vizitës në Beograd ka përcjellë një mesazh mbështetës jo vetëm për integrimin evropian të Serbisë, por edhe shteteve të tjera të rajonit tonë. Ai pranon faktin se vonesat në këtë proces kanë sjellë shqetësime dhe lodhje mes ballkanasve veçanërisht në lidhje me ritmin e negociatave të anëtarësimit.

“Pavarësisht kësaj afërsie, tashmë kaq të fortë, perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk tërheq aq sa duhet, ndërkohë që në sfond ka shqetësime dhe lodhje, veçanërisht në lidhje me ritmin e negociatave të anëtarësimit, por ndonjëherë një lloj pakënaqësie. madje edhe mosbesimi në lidhje me Bashkimin Evropian, të cilat e kanë burimin në historinë më të re dhe në kujtimet kontradiktore”.

Macron ka një apel që problemet e historisë së të shkuarës të mos bëhen pengesë për të ardhmen e bashkëpunimit mes këtyre shteteve.

“Është koha ta shikojmë historinë së bashku pa paragjykime, në mënyrë që ajo të mos përfaqësojë më një pengesë, që është edhe sot, mes nesh dhe, aq më tepër, midis vendeve të rajonit, të cilat janë të ftuara të jenë të gjithë së bashku nën kujdesin e Bashkimi Evropian. Historianët e të gjitha vendeve tona – anëtarë të BE-së dhe vendet kandidate, ndoshta mund të na ndihmojnë në këtë rrugë duke u angazhuar në punë kolektive për të”.

Macron ndalet edhe tek rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës duke kërkuar krijimin sa më shpejt të një komuniteti të komunave me shumicë serbe në veri. Parisi zyrtar ka shtuar dozën e kritikave ndaj qasjes së Albin Kurtit në dialogun me Serbinë, duke dënuar “veprimet e tij të njëanshme”, që për Macron vënë në rrezik marrëveshjen për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

“Në vitin 2019, kur fola për çështjen e Kosovës, fola për guximin e nevojshëm për të arritur një kompromis. Rruga që propozuam drejt normalizimit të nevojshëm ruan mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por duke mos hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e tyre natyrore me Serbinë; por edhe ekzistenca e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe. Jam i bindur se ky kompromis është në përputhje me interesat e Serbisë. Personalisht do të mbetem e angazhuar, pasi jam i sigurt se BE-ja në tërësi do të mbetet në zbatimin e Marrëveshjeve të Ohrit dhe para së gjithash në krijimin e një komuniteti të komunave me shumicë serbe”.

Pavarësisht këtyre mesazheve politike, në Beograd do të nënshkruajë me homologun serb Vuçiç një kontrate prej 3 miliardë eurosh për blerjen nga Franca të 12 avionëve ushtarakë Rafaele.

Klan News